Vazhdon seria e radhës e telenovelës Ibrahimovic. Pas sigurimit të Angel Di Marias, tashmë është pothuajse e sigurt që suedezi do të largohet nga PSG, por deklaratat e tij në Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë ta bëjnë edhe më të paqartë se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Pas disa deklaratash ku tregohej nostalgjik për kohën e kaluar te Milani, duke ndezur kështu shpresat e tifozëve kuq-e-zi për ta pare sërish në San Siro, Ibrahimovic deklaron se do t’i pëlqente shumë të luante në Shtetet e Bashkuara.
“Do më pëlqente të luaja në Amerikë”, ka thënë Ibrahimovic për “Yahoo Sports”. “Nuk mund të them se në cilën skuadër, por do të ishte fantastike të luaja këtu. Futbolli po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara. Kam qenë këtu edhe 10 vite më pare dhe kampionati nuk kishte arritur në nivelet e ditëve të sotme. Gjithcka po zhvillohet në rrugën e duhur dhe shpresoj që të arrijë nivelin e futbollit evropian. Gjithsesi do vija të luaja këtu vetëm për të arritur rezultate. Kjo është puna ime”, përfundoi sulmuesi i PSG-ës, i cili ka një kontratë me parizienët deri vitin e ardhshëm.