Për Guus Hiddink, përballja e sotme e Chelsea me PSG-ën (EKSKLUZIVISHT NE TRING SPORT 1 HD) është një ndeshje “50-50”-të ku të dyja skuadrat kanë shanset e tyre për të bërë përpara. “PSG po dominon tërësisht në Francë. Ata po ndërtojnë një skuadër të fortë, por ne jemi në të njëjtën formë si ata. Në kampinat kemi rikuperuar goxha prej dhjetorit e deri më tani dhe jemi të vendosur për të vazhduar më tej në Champions League”. Trajneri holandez foli edhe për vendimin për të lënë në Londër kapitenin John Terry. “Bëmë një test në mëngjes dhe nuk shkoi mirë. Terry ka probleme muskulore dhe një shqetësim në tendinën rreth kofshës. Vendimi për ta lënë në shtëpi, ishte i përbashkët. Kam besim të plotë te skuadra se mund t’ia dalë edhe pa një lider si ai”. Në mungesë të Terry-it, ka folur portieri Courtois, i cili u duk i tejet i vendosur në deklaratat e tij. “Në Champions League, objektivi ynë është vetëm suksesi dhe për t’ia dalë na duhet të mundim skuadrat e mëdha, kjo duke filluar me PSG”. Trajneri i PSG-ës, Laurent Blanc i kënaqet faktit se e ka grupin e plotë, teksa thotë se të dyja skuadrat janë në të njëjtin nivel. “Jemi përballur me Chelsea-in edhe në dy sezone të tjera. Historia e këtyre përballjeve tregon se kemi të njëjtin nivel. Situata e Chelsea-it në kampionat, bën që ata të jenë më të motivuar në Champions. Për këtë duhet t’u imponojmë lojën tonë, pasi ata mbeten një skuadër e aftë për të na mundur. Ndryshe nga vitet e kaluara mendoj se në Ligën e Kampionëve, jemi të aftë për të qenë më të suksesshëm, kjo pasi skuadra ka fituar përvojë”. Për Marco Verrattin PSG ka fituar besimin e duhur për të qenë të suksesshëm në Champions League. “Kemi dy vite që luajmë bashkë si skuadër dhe tashmë e njohim njëri-tjetrin më mirë. Sigurisht Champions League-a është e vështirë të fitohet, por ne jemi ambicioz dhe me vetëbesim se mund t’ia dalim”.