Pas Kalulu vjen lajmi edhe për një tjetër të dëmtuar te Milani përpara sfidës me Napolin. Bëhet fjalë për Zlatan Ibrahimoviç. Kur mendohej se suedezi i kishte dhënë fund problemeve fizike, pas një problemi që e la jashtë për 9 muaj, ja tek vjen dëmtimi i radhës për sulmuesin. Ai ishte grumbulluar me përfaqësuesen e Suedisë përsëri dhe atje ka pësuar dëmtimin e radhës, që raportohet se është një problem muskulor në kofshë. Kështu, muaji prill mund të quhet ndoshta i mbyllur për të, pasi në klub mendojnë se atij do t’i duhen së paku dy javë për të kaluar këtë telash. 41-vjeçari Ibra ka luajtur shumë pak këtë sezon, pasi ka koleksionuar vetëm katër paraqitje në kampionat. Megjithatë, Milani nuk do të humbasë shumë në këtë drejtim në Ligën e Kampioneve, që është kthyer në objektivin kryesor të klubit në këtë muaj, pasi Ibrahimoviç ishte jashtë listës së lojtarëve të dërguar në UEFA.
Në frontin e përforcimeve të mundshme të Milanit për sezonin e ardhëm sinjalizohet një ftesë publike e bërë nga Leao për Dominik Szoboszlai, i cili është një objektiv i Milanit. Mesfushori ofensiv ishte pranë kuqezinjve në verën e vitit 2020, por si përfundim, një vit më vonë, 22-vjeçari u transferua te Leipzig. Paolo Maldini e pëlqen prej kohësh kur luante te Salzburg, ndërkohë që Rafale Leao e ka ftuar hapur t’i bashkohet kampionëve të Italisë. “Hajde te Milani”, ka shkruar ylli portugez në Instagramin e Szoboszlai, gjatë në postim ku shfaqet me fanelën e kombëtares hungareze, aty ku mban shiritin e kapitenit. 5 gola dhe 13 asiste numëron gjatë këtij sezoni me Leipzig, ku ka kontratë deri në vitin 2026.