Manchester United po harton një të ardhme afatgjatë me Marcus Rashford. Djaloshit anglez i përfundon kontrata në fund të këtij sezonit, mirëpo 20 herë kampionët e Anglisë duan që sa më parë të rinvojnë marrëveshjen.
Duke iu referuar këtu mediave britanike, United ka gati një kontratë 5 vjeçare për yllin e skuadrës. Ndër të tjera, sulmuesi pritet të ketë edhe një rritje të ndjeshme të termave financiarë, duke qenë se aktualisht përfiton rreth 200 mijë euro në javë, thuajse sa gjysma e bashkëkombasit të tij në skuadër, Jadon Sancho.
Madje, produkti i akadamisë së klubit, është një lojtar, i cili preferohet tej mase edhe nga trajneri Erik Ten Hag. Takticieni hollandez është shprehur se nuk ka asnjë dyshim se Rashford zotëron potencial të lartë dhe me kalimin e kohës mund të përmirësohet akoma edhe më shumë.
Megjithatë, për momentin, çështja e rinovimit me Rashford ka mbetur në vend-numëro, sepse palët nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët, që përfshin të gjitha termat e kontratës.
Nëse nuk arrihet dot deri tek rinovimi 5 vjeçarë, atëherë klubi i United do tentojë të rinovojë të paktën për një vit me sulmuesin, duke qenë se në fund të sezonit, anglezi përfiton të drejtën për t’u larguar me parametra zero nga “Old Trafford”. Në këtë panoramë, të kuqtë e Manchesterit nuk duan të gjenden të papërgatitur dhe të paktën të kenë mundësi të arkëtojnë diçka nga shitja e tij.
Këtë situatë është duke e monitoruar PSG. Klubi francez prej kohësh është në ndjekje të hapave të 24 vjeçarit Rashford, të cilin duan ta transferojnë në “Parc des Princes”.
Vetëm e ardhmja e afërt do e tregojë nëse djaloshi i shtëpisë do vazhdojë të luajë në “Teatrin e Ëndrrave”, apo do kërkojë një tjetër aventurë në karrierë.