E ardhmja e Adrien Rabiot do të mësohet vetëm pas finales së Kupës së Italisë. Në 30 Qershor të këtij viti, mesfushorit i përfundon kontrata me Juventusin, ndërkohë që francezi i ka lënë të gjithë pezull në ambientin bardhezi, sepse mundësia e largimit është aty. Madje, për Zonjën e Vjetër do të konsiderohej një humbje e madhee, nëse Rabiot largohet me parametra zero.
Megjithatë, pavarësisht se çfarë dhe sa është diskutuar, ka qenë vetë Rabiot ai që ka hedhur pak dritë mbi të ardhmen e tij. kur është pyetur për këtë temë, 29 vjeçari është shprehur se menjëherë pas finales së Kupës së Italisë, mes Juventusit dhe Atalantës në 15 Maj, ai do të ulet dhe do të bisedojë me klubin, për të vendosur përfundimisht nëse do të vijojë të mbrojtë ngjyrat bardhezi, apo do të bëhet pjesë e një tjetër klubi.
Përgjatë këtij edicioni futbollistik, me golat, apo asistet e tij, Rabiot është kthyer shpeshherë në shpëtimtarin e Juventusit. Kështu ndodhi edhe në javën e 36. Me golin e barazimit ndaj Salernitanës, të shënuar vetëm në fund, mesfushori ruajti nga humbja ekipin bardhezi.