Sa herë që i afrohemi merkatos, Alvaro Morata është gjithmonë një nga emrat më të komentuar të futbollistëve. Spanjolli, në pronësinë e Atletico Madrid, e përfundoi huazimin 2 vjeçar në radhët e Juventusit. Për të siguruar në mënyrë të plotë shërbimet e tij, bardhezinjtë ofrojnë 20 mln euro në drejtim të Atleticos, por këta të fundit nuk pranojnë të futen në negociata pa 35 mln euro.
Duke iu referuar raportimeve të ndryshme sportive, Zonja e Vjetër ka propozuar 3 futbollistë në drejtim të Rojiblancos për ta mbyllur këtë operacion. Mes Moise Kean, Adrien Rabiot dhe Denis Zakaria, Atletico duhet të zgjidhte një prej tyre, në mënyrë që operacioni I Moratas në Allianz Stadium të bëhej më I thjeshtë.
Mirëpo, asgjë nuk ka shkuar sipas planit të torinezëve dhe çështja vijon të mbetet tërësisht e hapur. Në këtë panoramë ngjarjesh, tashmë interes mbi sulmuesin e qendrës kanë nisur të tregojnë edhe nga Anglia. Konkretisht është Arsenali që kërkon të transferojë 29 vjeçarin. Gunners e kanë të domosdoshëm afrimin e një sulmuesi, sidomos pas largimit të Alexandre Lacazette me parametra zero në drejtim të Lionit. Për këtë arsye, londinezët po lëvizin të gjithë gurët për të siguruar shërbimet e një futbollisti në repartin e avancuar.
Aspekti financiar nuk mendohet të jetë një problem për klubin e Premier League, por mbetet për t’u parë nëse do arrijë të gjejë një marrëveshje ose jo me Atletico Madrid. Fakti që në mes është edhe Juventusi, e komplikon disi çështjen për Arsenalin. Megjithatë, një peshë të veçantë në këtë drejtim pritet të ketë edhe vetë zgjedhja e lojtarit, I cili mund të preferojë të qëndrojë në Torino, të rikthehet në Spanjë, apo të rikthehet në Angli.