I ati i Higuain kritikon Sampaolin, ky i fundit thuhet se do largohet nga drejtimi i Argjentinës

Sport

jorgeeee
Nuk kanë të mbaruara kritikat drejt Jorge Sampaolit. Edhe pse tashmë u bënë ditë që nga eliminimi i Argjentinës nga Franca në 1/8-at e botërorit rus, i ati i Gonzalo Higuain nuk gjen paqe. Sipas tij ishte e pashpjegueshme se përse trajneri i Argjentinës nuk e angazhoi sulmuesin e Juventusit në ndeshjen më vendimtare. Sampaoli ndezi mjaft debate me zgjedhjet e tij që në fazën në grupe. Dyshja Pavon-Meza la në stol dyshen e Juventusit Dybala-Higuain, ndërsa probleme u panë qartë se kishte edhe kundrejt sulmuesit të City-it Aguero.

jorge2

“Mundet që edhe të kesh probleme me ndokënd në skuadër, por të mos aktivizosh asnjë prej dy prej sulmuesve që ke, të cilët kanë shënuar më shumë se 600 gola së bashku, është e pashpjegueshme” citohet të ketë thënë i ati i Gonzalo Higuain, Jorge. 30-vjecari i Juventusit u angazhua kryesisht si zëvendësues këtë botëror. Ndaj Islandës luajti 7 minuta. Ndaj Kroacisë 37. Ndaj Nigerisë 90 minuta, ndërsa ndaj Francës as dhe një. Lojtari i Independientes, 26-vjecari Maximiliano Meza, luajti në të gjitha takimet. Po kështu edhe Cristian Pavon, ndërsa mesfushori i PSG Le Celso nuk u aktivizua fare, kurse Paulo Dybala vetëm 23 minuta si zëvendësues në sfidën me Kroacinë. Të shumta janë raportimet për sa i përket të ardhmes së Sampaolit. Ky thuhet se do të largohet nga kombëtarja dhe dorëheqja e tij pritet brenda kësaj jave, ndërsa si zëvendësues të mundshëm The Sun ka përmendur emrin e Pep Guardiolës, ai që Lionel Messin e kupton më shumë se kushdo tjetër nga trajnerët në qarkullim.