Hysajn e pret direkt sfida e nxehtë në Champions League

Sport

elseidi

Elseid Hysaj është shqiptari i vetëm, që merr pjesë në këtë fazë të grupeve të Champions League. E mënjëherë të martën, premiera e këtij edicioni i rezervon mbrojtësit të Napolit një transfertë nga ato të nxehtat, kundër serbëve të Crvena Zvezdës. Ai që duket kundërshtari më i lehtë për ekipin italian në grupin C, do të jetë më i vështiri për mbrojtësin e Kombëtares kuqezi. Gati 4 vjet nga ajo ndeshje e tetorit 2014 me Kombëtaren shqiptare, mbrojtësi anësor do të rikthehet në Beograd. Ndonëse këtë radhë në një tjetër stadium, por akoma edhe më të madh, sic është i ashtuquajturi “Maracana”, me një kapacitet prej mbi 55 mijë vetësh.

Qi4Sp1H

Klubi kampion i Serbisë ka lajmëruar se janë shitur të gjithë biletat për ndeshjet e “Champions League”, që do të luajnë në shtëpi. Kështu që, sikur të mos mjaftonte vetëm futbolli, Hysaj do të duhet të mbajë mbi supe presionin dhe mbi të gjitha do të duhet të përballet me koret që mund të vijnë nga “ferri” që e pret në Beograd. Ndeshja e fundit në kampionatin italian është hedhur prapa krahëve për mbrojtësin shqiptar. Napoli fitoi minimalisht me shifrat 1-0 ndaj Fiorentinës, ndërsa Hysaj nuk mundi të lërë gjurmë në atë takim. Por duket se u kursye disi, duke pasur parasysh se të martën e pret një betejë, që ndoshta do të vlejë dyfish për të. Jo vetëm në planin sportiv.