Hysaj, rindizet përsëri pista që e çon në La Liga

Sport

Për Elseid Hysajn është hapur përsëri pista spanjolle, pas dështimit të negociatave që pati për një kohë të gjatë me Atleticon e Madridit gjatë muajit korrik. Tashmë, mbrojtësi anësor mund të përfundojë në La Liga, por me fanelën e një tjetër skuadre sic është Valencia. Dëmtimi i rëndë i pësuar në stërvitje nga anësori italian Cristiano Piccini (flitet për 5 muaj jashtë fushave) ka bërë që spanjollët të vendosen në kërkim të një zëvendësuesi për të. Ndër alternativat kryesore, krah emrave si Santon apo Caceres, është edhe 25-vjeçari i Kombëtares kuqezi, i cili në një moment dukej se do të mbetej te Napoli të paktën deri në janar. Por hapja e paritur e këtij shtegu ka bërë që gjërat edhe mund të ndryshojnë sa i takon transferimit të tij që në gjatë këtij sesioni merkato. Kërkesa e drejtuesve të Valencias është për një huazim, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, nëse do të përmbushen disa kushte të caktuara.


Mario Xhiufredi, agjenti i shkodranit ka pranuar kontaktet e nisura me klubin spanjoll, që merr pjesë edhe në Champions League. Megjithëse nuk ka premtuar konkretizimin e tratativës, përderisa as koha nuk premton. Sipas tij nuk është e lehtë pasi deri në fundin e merktos mungojnë vetëm pak ditë, teksa tratativat nuk mund të mbyllen dot menjëherë. Gjithsesi, Xhiufredi është mjaftuar të thotë se do të mundohet të kënaqë lojtarin, i cili duket se e pëlqen si destinacion pasi e pati të pamundur të kalojë te Atletico, apo edhe te Roma, skuadrat që u duken më afër tij gjatë kësaj merkatoje verore.