Hysaj, prapaskenat e sfumimit të vajtjes te Chelsea

Sport

elseid

Elseid Hysaj nuk do të largohet nga Napoli. Edhe pse gjatë verës ka ekzistuar një tratativë që mund ta dërgonte tek Chelsea, për ta rikthyer nën urdhërat e Mauricio Sarrit. Gjithsesi është agjenti i tij që ka zbuluar se një pakt midis presidentit napoletan De Laurentis dhe drejtuesve të klubit londinez ka bërë që Chelsea të mos tentojë të paguajë klauzolat e lojtarëve për të cilët ishin të interesuar prej nënkampionëve të Italisë. E njëri prej tyre ishte edhe Hysaj, i cili tashmë përfundimisht do të mbetet në “San Paolo”. Mbrojtësi gëzon admirimin e trajnerit të ri Carlo Ancelotti që kërkon ta shndërrojë në një nga elementët kryesorë të skuadrës së tij. Për këtë arsye, drejtuesit napoletanë flitet se duan ta blindojnë, duke i zgjatur kontratën. Gjithçka është konfirmuar po nga agjenti i shkodranit, i cili ka deklaruar se “tani që mund të thuhet se do të qendrojë te Napoli, do të bisedohet për kontratën e re. Mbi këtë do të shkoj gjatë këtyre ditëve në Dimaro, aty ku Napoli po zhvillon fazën përgatitore. Të shohim nëse do të ketë vullnet nga palët…. Elseidin e kam parë vërtet në një formë befasuese. Mundësia për të sulmuar më shumë në krah do ta përmirësojë më tepër, duke plotësuar kështu fazën e rritjes. Chelsea? Mund të ndiqte nga pas Sarrin, por De Laurentis vuri veton, pasi nuk dëshironte të çmontonte skuadrën”, ka rrëfyer agjenti Giuffredi.

hysaj
Për momentin mund të thuhet se qëllimi i drejtuesve të Napolit është që t’i dyfishojnë rrogën: nga 1.2 milionë në sezon, do të shkojë tek 2.3 milionë eurot duke nisur nga sezoni i ri, me një rritje graduale në vitet e mëpasshme. Kështu do të arrijë nivelet e futbollistëve më të mirë të Serisë A. Ndërkohë që kohëzgjatja e marrëveshjes së re do të jetë deri në vitin 2023. Për më tepër, ideja është që të heqë përfundimisht klauzola prej 50 milionë eurosh për transferimin jashtë Italisë. Përderisa shifra është mëse e përballueshme për çdo klub në Angli.