Hysaj-Napoli, shkodrani mund të rinovojë me një kusht…

Sport

Krejt papritmas, Napoli duket se ka ndryshuar qëndrim për Elseid Hysajn. Nëse pak ditë më parë flitej për një largim të mundshëm të shqiptarit nga “San Paolo” drejt Tottenhemit, tashmë ekipi italian kërkon që të rinovojë me anësorin kuqezi. Trajneri Gennaro Gattuso beson se shkodrani do të jetë i dobishëm për skuadrën e tij, përderisa mund ta aktivizojë si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, në një situatë kur në prapavijën e napoletanëve ka emergjencë.
Kështu, drejtuesit e Napolit po punojnë ne këtë drejtim, siç ka zbuluar gazetari i Gazzetta Dello Sport dhe eksperti i merkatos, Nikolo Skira. Ai,
në profilin e tij në Tëitter, ka shkruar se “klubi po punon për të rinovuar me Elseid Hysajn deri në 2023-shin, teksa shqiptari kërkon një rrogë prej 2.7 milionë eurosh në sezon. Gjithashtu, ai dëshiron të heqë klauzolën e largimit prej 50 milionë eurosh brenda Italisë, por ta mbajë të vlefshme vetëm për jashtë shtetit italian”.
Mësohet se fillimisht, Napoli nuk e ka pranuar kërkesën e Hysajt, por situata pritet të ndryshojë dhe palët mund të bien dakord. Hysaj nuk është më aq i prirur për të larguar, duke parë se Gattuso i ka dhënë besim gjatë ndeshjeve të fundit. Por tani dëshiron thjesht të sistemojë paksa kontratën, duke synuar përmirësimin e kushteve financiare për të firmosur përsëri. Nga ana tjetër është kjo çështje e rrogës për të cilën presidenti De Laurentis nuk do të ishte i bindur, të paktën me ato shifra që kërkon mbrojtësi shqiptar. Prandaj marrëveshja për momentin nuk duket edhe aq e thjeshtë.