Një Elseid Hysaj disi i nervozuar ishte ai që u prezantua në zonën miks pas Napoli-Juventus. Anësësori shqiptar i Napolit shfaqi keqardhje pas humbjes së pësuar 1-2 përballë bardhezinjve. Ai ka komentuar negativisht vendimin e gjyqtarit Rochi për të ndëshkuar portierin Meret, si pasojë e një kontakti me Cristiano Ronaldon. Sipas Hysajt, metri i përdorur nga gjyqtari në këtë episod ishte i gabuar. Ai ka konsideruar një fakt themelor dinamikën e aksionit, duke parë se Ronaldo nuk mund të mbërrinte dot tek topi.
“Pa kartonin e kuq, ndeshja mund të kishte shkuar më mirë. E dimë të gjithë se rregullorja thotë që nëse kundërshtari nuk arrin dot tek topi, nuk ka kurrë karton të kuq. Gjyqtari duhet të shkonte të rishikonte imazhet. Nuk e bëri dhe kushtëzoi të gjithë ndeshjen me vendimin e tij.
Një koncept ky që Hysaj ka dashur ta përforcojë, duke nënvizuar sesi teknologjia VAR nuk ka asnjë sens që të gjendet në fushë, kur njeriu i caktuar për të arbitruar nuk vendos të rishohë aksionet e dyshimta.Ndërsa duke folur për distancën ë krijuar tashmë midis Juventusit dhe Napolit, Hysaj ka treguar të gjithë pakënaqësinë. Përderisa ai mendon se mes dy skuadrave nuk ekziston realisht një diferencë aq e madhe. “Në fushë nuk vërehet aspak ajo diferencë e madhe që është në renditje mes Juves dhe Napolit. Në pjesën e dytë të ndeshjes luajtëm vetëm neve. Dhe jemi të mërzitur për faktin që nuk arritëm të shënojmë të paktën golin e barazimit”, ka përfunduar Hysaj.