Hysaj, e ardhmja varet nga trajneri Sarri

Sport

els hysaj sarri
Nga një pikë fikse, papritmas Elseid Hysaj mund të shndërrohet në një nga lojtarët e parë që do të ikin prej Napolit, që duket se ka dështuar edhe këtë vit tentativën për titullin kampion në Serinë A. Pas humbjes ndaj Fiorentinës dhe barazimit me Torinon, tashmë skuadra napoletane gjendet 6 pikë prapa Juventusit, të cilit i duhet vetëm një pikë për t’u shpallur kampion kur kanë mbetur edhe 2 javë deri në fund të kampionatit. kaq mjafton që të rihapet diskutimi për largimin e disa prej lojtarëve të ekipit që drejtohet nga Mauricio Sarri. E njëri prej tyre është pikërisht shkodrani i kombëtares shqiptare. Ai që ka folur mbi të ardhmen e mbrojtësit është agjenti i tij, Mario Xhiufredi, i cili ka thënë se qendrimi apo jo i Hysajt është i varur pikërisht nga konfirmimi i trajnerit aktual të Napolit.

els hysaj

“Do të shohim sesi do të shkojë çështja e Sarrit, më pas do të duhet të vendosim… Unë uroj trajneri të qendrojë, sepse për mendimin tim, ai është një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Sigurisht ka defekte të vogla, por kjo nuk e ndryshon mendimin tim”, ka deklaruar Xhiufredi në lidhje me teknikun e Napolit, që përflitet se do të largohet nga Napoli, për të vazhduar një aventurë në Premier League. Por duket se Elseidi është tepër i lidhur me Sarrin, I cili në verën e 2015-s kërkoi me ngulm që ta merrte me vete në “San Paolo”, pasi punoi me të tek skuadra e Empolit. Nuk është çudi që në rast se Sarri do të shkojë në Angli – mesa përflitet tek Chelsea – edhe Hysaj ta ndjekë atje.