Napoli u kthye te fitorja megjithëse bëhej fjalë për një ndeshje të 1/8-ave të Kupës së Italisë, ku mundi Perugian me rezultatin 2-0, falë golave të Insinjes. Në këtë sfidë luajkti titullar edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare Elsid Hysaj, i cili në fund të pjesë së parë shkaktoi një 11-metërsh duke prekur topin me dorë por pasi e kishte goditur më parë në këmbë. Shkodrani, i irrituar me vendimin e gjyqtarit protestoi ashpër tek ky i fundit sa u desh edhe ndërhyrja e trajnerit Gennaro Gattuso për ta qetësuar lojtarin. Për fat të mirë portieri David Ospina e priti këtë penallti dhe Napoli u kualifikua për më tej. Në fund të lojës, Hysaj lëshoi edhe disa deklarata në lidhje episodin e penalltisë ku ishte protagonist: “Në bazë të rregullores, ajo penallti nuk ekzistonte. Falënderojmë Ospinan që priti këtë penallti. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në kampionat, pasi kjo skuadër meriton”.
Ai foli edhe për suksesin e rigjetur të skuadrës nën drejtimin e Genanaro Gattusos: “Fitorja na duhej për të fituar bindje në forcat tona. Jemi duke punuar fort dhe kjo u vërejt në fushë. Shpenzuam shumë 3 ditë më parë në ndeshjen kundër Lacios, prandaj erdhi edhe rënia në pjesën e dytë. Të gjithë pa përjashtim dhanë një ndihmë të madhe, edhe në fazën mbrojtëse. Duhet të shijojmë këtë kualifikim, duke pritur ndeshjen e turit të ardhshëm që e kemi pikërisht ndaj Lacios. Shpresojmë të marrim revansh, megjithëse do të jetë një ndeshje krejt tjetër në krahasim me atë që të shtunës”.