Hysaj dëmtimit-horror, ja sa do mungojë në fushë

Sport

Antkth dhe frikë për Elseid Hysajn. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim horror në sfidën e vlefshme për javën e 7-të të Serisë A ndaj Torinos, teksa është detyruar të lërë fushën e lojës me barelë në minutën e 35-të të pjesës së parë. Pas një dueli me Ansaldin, shkodrani i rikthyer titullar pas një kohe të gjatë, kërceu në ajër për të kapur topin, por u rrëzua keq, përderisa e gjithë pesha e trupit të tij ka shkuar te qafa. Menjëherë edhe kundërshtari i tij e ndihmoi, duke e ngritur për të mos e lënë të qendronte në një pozicion që mund të kishte rezultuar me pasoja më të rënda.


Më tej, transportimi i shkodranit jashtë fushës së blertë u bë me barelë. Nga rezultatet e para pas analizave të kryera, mbrojtësi anësor do të jetë i deryruar që të qëndrojë të paktën një muaj pushim pas dëmtimit që ka pësuar si rrjedhojë e rënies së tmerrshme. Mësohet se lojtari i Napolit ka pësuar një frakturë të pjesshme në kockën e gjoksit dhe si rrjedhojë, do të duhet që të qëndrojë pushim për gati 30 ditë. Kjo i mohon mundësinë për të qenë i pranishëm në sfidat e radhës të eliminatoreve të Euro 2020 ndaj Turqisë dhe Moldavisë, për të cilat Reja pritet të grumbullojë mbrojtësin e Almerias, Ivan Balliu ose Memollën e finlanezëve të KPV. Të gjithë kanë qenë të shqetësuar për gjendjen e futbollistit, pasi pamjet ishin të tmerrshme. Por vetë lojtari i ka qetësuar të gjithë me një postim në rrjetet sociale. “Faleminderit të gjithëve për mesazhet, falë Zotit jam mirë”, ishte mesazhi i mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare, i cili mund të kthehet të luajë vetëm nga fillimi i nëntorit.