Transferimi i papritur Kristiano Ronaldos në Itali te Juventusi mbetet një ndër më të bujshmit e viteve të fundit. Aktivizimi I portugezit në Serinë A është një ndër reklamat më të mira për futbollin italian. I këtij mendim është edhe mbrojtësi Napolit dhe Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj. I intervistuar nga SkySport në Itali, Hysaj e ka vlerësuar maksimalisht figurën e Ronaldos dhe faktin që një lojtar si ai do të luajë në futbollin italian, por kjo gjë nuk e ka penguar që të shpalosë objektivat që ka ai dhe Napoli i tij: “Do të jetë një kampionat shumë i bukur, sidomos me ardhjen e Kristiano Ronaldos te Juventusi. Por edhe ne tek Napoli kemi marrë një as, si Ançelotit në pankinë. Pa përmendur se edhe të tjerët kanë ndërtuar skuadra shumë cilësor, si për shembull… Interi”.
Sidoqoftë, mbrojtësi është i përqendruar për të fituar dicka me napoletanët, teksa duket se Ancelotti e ka bindur për të qendruar edhe këtë sezon, aq sa tashmë janë rrëzuar opsionet për transferimin në Premier League, ku Chelsea i Sarrit dhe Manchester Utd i Mourinho janë gati të bëjnë ç’mos për ta marrë. “Nuk ka pasur asgjë të vërtetë. Unë kam një klauzolë dhe nëse dikush do të më donte, atëhetë do ta kishte paguar. Ndihem mirë te Napoli dhe për momentin mendoj vetëm për këtë skuadër”, ka dashur të sqarojë shkodrani. Sipas tij, “Napoli do të bëjë gjithçka për të shkuar deri në fund të të gjithë kompeticioneve dhe për këtë është duke u përgatitur intensivisht. “Trajneri Ançeloti ka idetë e tij taktike. Ndryshe nga Sarri që kërkon lojën e bukur, ai kërkon që anësorët e mbrojtjes të jenë më të përfshirë në sulm. Prandaj, unë dhe mbrojtësëit e tjerë po punojnë shumë, për të vendosur në praktikë atë cfarë ai dëshiron”, u shpreh Hysaj, i cili në ndeshjet përgatitore është shfaqur paksa më i prirur nga porta, duke gjetur shpesh edhe rrugën e golit. E ku i dihet, sezonin e ri mund ta shohim edhe si shënues.