Jahmir Hykën, tani mund ta quani…amerikani. Shtatshkurtri nga Tirana ka përmbushur me sukses misionin, për të cilin iu desh të vinte urgjentisht në Shqipëri gjatë javës së kaluar. Lojtari i San Hoze u kthye për disa ditë, pasi duhet të kryente disa procedura sa i takon pajisej me “Green Card”. Gjë që tashmë e ka në duart e tij, siç ka konfirmuar zyrtarisht vetë klubi amerikan në faqen zyrtare.
Kjo do të thotë se tashmë, futbollisti i lindur në Tiranë nuk do të njihet më si një lojtar i huaj në radhët e San Hose Earthquakes, por do të ketë statusin e amerikanit. Kështu, numri i futbollistëve jo-vendës në radhët e San Hoze Earthquakes zbret nga 8 në 7. Pas marrjes së të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, Hyka ka liruar vendin për një tjetër futbollist që mund të vijë tek San Hoze, nga jashtë Amerikës.
Këmbëshpejti 30-vjeçar u bashkua me skuadrën kaliforniane në shkurtin e vitit 2017, pasi u largua nga Luzern në Zvicër. Teksa në sezonin e parë me klubin e ri, ai shënoi 3 gola dhe dhuroi 5 asiste gjatë 30 aktivizimeve. Hyka debutoi në 2007-n edhe në Kombëtaren shqiptare, ka mundur të regjistrojë 43 paraqitje me fanelën kuqezi. Megjithëse prej disa ndeshjeve nuk është preferuar të grumbullohet nga trajneri Kristian Panuci.