Humbja turpëruese ndaj Liverpool, Ten Hag merr masa ndaj lojtarëve të Manchester United

Sport

Erik Ten Hag ka marrë masa për lojtarët e tij pas humbjes 7-0 ndaj Liverpool. Turpërimi i djajve të kuq në “Anfield” ishte humbja më e rëndë e United në historinë e Premier League. Gjithashtu, ajo ishte humbja më e rëndë edhe në karrierën e Ten Hag.

Sikurse kanë zbuluar mediat britanike, trajneri hollandez ka marrë masa ndaj lojtarëve që ka nën dispozicion. Si fillim, 53 vjeçari, i ka detyruar të gjithë futbollistët e skuadrës që të dëgjojnë festën e Liverpoolit në dhomat e zhveshjes, duke e bërë edhe më torturuese humbjen për të tijtë.

Më tej, sipas informacioneve që vijnë nga ishulli, Ten Hag u ka thënë lojtarëve se ishin me shumë fat që u rikthyen sërish në shtëpi me autobusin e klubit, sepse në shenjë dënimi, mund të kishin udhëtuar me mjete të ndryshme, ashtu sikurse tifozët.

Po ashtu, Ten Hag ka paralamëruar të tijtë, që në rast se përsëritet një tjetër humbje e rëndë, atëherë ata do i kryejnë seancat stërvitore bashkë me pjesën tjetër të skuadrës së moshave, U21. Nuk mbaron me kaq, sepse që lojtarëve t’u përmirësohet morali pas humbjes së rëndë ndaj Liverpool, ata do të kryejnë më tepër seanca me psikolokun e klubit, Rainier Koers.

Ten Hag njihet për masa të ashpra ndaj lojtarëve dhe diçka të ngjashme e vërtetoi pas humbjes 4-0 ndaj Brentfordit në muajin Gusht. Një ditë më vonë, ai i detyroi futbollistët që të vraponin 14 km në stërvitje, aq sa ishte diferenca mes të tijve dhe Brentfordit.