Barcelona dhe Atletico Madrid kanë ngushtuar diferencën me kreun e renditjes në kampionatin spanjoll, duke e bërë edhe më interesante garën për trofeun e La Ligas. Në javën e 22, surpriza erdhi në katalonjë, teksa Espanyoli mposhti 1-0 skuadrën e Real Madrid. Los Blancos kishin fituar 9 ndeshjet e fundit radhazi ndaj kundërshtarit në fjalë, por që këtë herë, nuk ia dolën dot të kishin sukses. Madje, jo të fitonin ndeshjen, por madrilenët nuk ia dolën dot të shënonin qoftë edhe një gol, duke i dhënë fund kësisoj ecurisë së tij në transfertë, duke të paktën një gol në 35 takime të njëpasnjëshme.
Përveç rezulatit negativ që morën ndaj Espanjolit, Reali ka marrë gjithashtu edhe një tjetër lajm jo të mirë dhe fjala është për lojtarin Antonio Rudiger. Mbrojtësi i qendrës u zëvendësua në minutën e 15, pas një tërheqjeje muskulore. Si pasojë, mediat në Spanjë thonë se gjermani do të mungojë rreth 20 ditë, duke mos qenë i gatshëm kësisoj në disa ndeshje vendimtare të Real Madrid përgjatë muajit Shkurt. Këtu fjala është për derbin ndaj Atletico Madrid në kampionat, por gjithashtu edhe në ndeshjen e parë ndaj Manchester Cityt në Champions League. Gjithashtu, Rudiger është në dyshim edhe për ndeshjen e kthimit ndaj anglezëve në Santiago Bernabeu.
Disfatën që pësoi Real Madrid, e shfrytëzuan në maksimum Barcelona dhe Atletico Madrid. katalanasit mposhtën 1-0 Alavesin në shtëpi, me golin e Robert Leëandoëskit. Këtë sezon, Barcelona është skuadra e vetme në 5 ligat kryesore të Europës, që ka të paktën 2 lojtarë, të cilët kanë arritur shifra dy shifrorë, si në gola, ashtu edhe në asiste. Fjala ësthë për Raphinha dhe Lamine Yamal. Njëri ka 23 gola dhe 11 asiste, kurse tjetri, 10 gola dhe 13 asiste.
Më tej, në javën e 22, fitoi edhe Atletico, që në shtëpi mundi Mallorcan, me rezultatin 2-0, me golat e Linos dhe Griezmann.
Humbja e Realit ka bërë që diferenca me kreun tashmë të ngushtohet dhe gara të bëhet më interesante. Los Blancos kryesojnë me 49 pikë, ndjekur nga Atletico me 48 dhe Barcelona me 45.