Shtohet më tej skandali i fikismit të ndeshjes mes rezervave të Barcelonës dhe skuadrës Eldense në Spanjë. Policia ka arrestuar trajnerin e skuadrës nga Elda në Alicante, e cila të shtunën u mund 12-0. Filippo di Pierro është ndaluar nga autoritetet e zbatimit të ligjit në kuadër të një hetimi të thellë që ka nisur fillë pas deklaratave të shumë lojtarëve të Eldenses, ku thuhej se skuadra të shtunën u hodh në fushë qëllimisht që të humbte me shumë gola. Ende nuk ka asnjë shenjë për implikimin në këtë mes edhe të Barcelonës B, por hetimet thuhet se kanë marrë zhvillime konkrete. Radiostacioni Cadena Ser është ndër mediat që e ka mbuluar më mirë këtë cështje dhe së fundmi në një intervistë, mbrojtësi i Eldenses Emmanuel Mendy, rrëfeu se asistenti i trajnerit italian Filippo di Pierro, i kishte komunikuar atij planin për të fiksuar ndeshjen. “Ai më pyeti nëse isha dakord dhe sa do doja që të paguesha” – zbuloi Mendy, i cili theksoi se asistenit Fran Ruiz i kishte komunikuar se nëse nuk do të ishte dakord nuk do të luante. Vetë asistenti foli gjithashtu për Cadena Ser dhe ai tha se thjesht kishte zbatuar udhëzimet e trajnerit di Pierro. Fitorja 12-0 ishte më e madhja e shënuar ndonjëherë në kategoritë inferiore të futbollit spanjoll, ndërsa këtë cështje e ka komentuar edhe trajenri Luis Enrique, i cili e ka përshkruar si tejet delikate. Enrique theksoi se gjithcka duhet zbardhur dhe dënuar pasi raste të tilla nuk kanë vend për futbollin.