Hugo Lloris pranë Lazios

Sport

Hugo Lloris shpenzoi thuajse një jetë sportive tek Tottenhami, sigurisht me gjithë respektin për përvojat me  Lyon e Nice, por marrëdhënia e tij me Tottenhamin ka qënë e vecantë, madje për shumë sezone mbajti shiritin e kapitenit, tashmë edhe pse nën kontratë, lamtumira e tij është e sigurt. Vetë portieri është gati të pranojë një aventure të re dhe klubi londinez nuk do ta pengojë duke e lejuar të largohet falas. Eksperienca e re e ish kapitenit të përfaqësueses franceze,  kampion i botës në 2018-ën,  do të jetë në Itali tek Lazio.

Sipas mediave në Francë, 36 vjecari i ka thënë “po” këtij transferimi në Serinë A që do të jetë edhe lëvizja e parë drejt ligës italiane në karrierën e tij. Mundësia për të luajtur në Champions League është një arsye më tepër për Lloris, teksa në anën tjetër trajneri i lacialëve Maurizio Sarri kërkon të ketë dy portierë të nivelit të lartë. Kujtojmë që Ivan Provedel zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm duke u shpallur në fund si portieri më i mirë i Serisë A.

Sigurisht në këtë situatë Hugo Lloris nuk e ka aspak të garantuar vendin e titullarit, madje gjasat janë që ta nisë nga stoli, por me sa duket gardiani francez e ka marrë në konsideratë këtë fakt, përpara se të thotë “po”.

Lloris shpenzoi 11 sezone tek Tottenham duke zbritur në fushë në plot 447 ndeshje, megjithatë për fatin e tij të keq nuk fitoi dot asnjë trofe me Spursa-t, edhe pse i shkoi shumë afër Uefa Champions Leagues në vitin 2019-të.