Teksa shumë skuadra në NBA kanë bërë lëvizjet e tyre për të qenë mes pretendentëve në ‘Konferencat’ respektive, tashmë është radha e Houston Rockets që t’u përgjigjet rivalëve të saj. Teksanët në fakt i kanë befasuar të gjithë me lëvizjen e tyre, pasi siç konfirmojnë mediat amerikane, Rockets do të afrojnë në skuadër Russell Westbrook. Ky i fundit vendosi të braktisë skuadrën e Thunder pas largimit të Paul George dhe tek Houston do të gjejë një skuadër që pretendon të shkojë shumë larg. Kalimi i Westbrook tek Houston do të bëjë që Chris Paul të transferohet tek Oklahoma City Thunder, që në këtë mënyrë siguron një tjetër lojtar të klasit botëror.
Gjithashtu për Oklahoman do të shkojnë edhe dy zgjedhjet e para në draft në vitet 2024 dhe 2026, si dhe dy shkëmbime në draftet në vitet 2021 dhe 2025. Një marrëveshje disi e komplikuar, por që sezonet e fundit është parë të ndodhë shpesh mes skuadrave të mëdha. Në këtë mënyrë, Westbrook do të ribashkohet me James Harden. Ata kanë luajtur së bashku pikërisht tek Oklahoma nga vitit 2009 në 2012-ën. Ardhja e Westbrook bën që shumë tifozë të shohin Houston Rockets si pretendentë absolutë për titullin kampion, ndonëse ka edhe nga ata që e shohin të vështirë funksionimin e Rockets me dy lojtarë që kërkojnë të jenë lider. Me gjasa, Harden do të mbetet në qendër të projektit të Houston, por ardhja e Westbrook gjithësesi mund të lëkundë disi situatën.