Pas 4 humbjesh radhazi, Houston Rockets janë rikthyer tek fitorja, teksa mposhtën me rezultatin 121-115 një kundërshtar direkt si Denver Nuggets. Pas kritikave të shumta të marra në këtë fillim të 2020-ës, teksanët ‘treguan’ forcën e tyre përballë Nuggets, me Russell Westbrook që realozoi 28 pikë, 8 asiste dhe 16 rikuperime të topit nën tabelë. Ndërkohë James Harden u ndal në 27 pikë, por paraqitje të mirë për Rockets bëri edhe Eric Gordon, që e mbylli me 25 pikë të shënuara. Houston e dominoi takimin që nga fillimi dhe ia doli të rezistonte edhe në peridonë e katërt, kur Denver provoi të shtynte më shumë. Lideri i Nuggets, serbi Nikola Jokic realizoi një ‘triple-double’ me 19 pikë, 10 asiste dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë, çfarë nuk mjaftuan për t’i dhënë një tjetër udhë fatit të kësaj sfide.
Ka befasuar ndërkohë Los Angeles Clippers, të cilët morën një humbje të papritur ndaj Atlanta Hawks me rezultatin 102-95. Kalifornianët e vuajtën mungesën e dyshes Paul George e Kawhi Leonard, teksa 30 pikët e Montrezl Harrell mbetën vetëm për statistikë. Edhe Atlanta vinte me një mungesë të rëndësishme në këtë ndeshje, si ajo e talentit Trae Young. Megjithatë, Hawks gjetën frymëzim tek John Collins, që shënoi 33 pikë dhe fitoi plot 16 duele për zotërimin e topit nën tabelë.
Është rikthyer tek fitorja ndërkohë skuadra tjetër e Los Angeles. Lakers mposhtën 100-92 skuadrën New York Knicks, teksa Boston Celtics kaluan 119-95 Memphis Grizzlies. Fitore edhe për kampionët e Toronto Raptors, të cilët mposhtën 107-95 Philadelphia 76ers