Houston shkatërron Memphis Grizzlies, Dallas fiton derbin teksan me San Antonion

Sport

Houston Rockets nuk ka kursyer asgjë ndaj skuadrës së Memphis Grizzlies, të cilët i kanë mundur me rezultatin e thellë 140-112. Russell Westbrook ishte absolutisht ylli kryesor në parket në këtë takim, me 33 pikë të shënuara, 8 asiste dhe 9 rikuperime të topit nën tabelë. Paraqitje e mirë edhe nga lideri i Rockets, James Harden, që realizoi 30 pikë, kurse Austin Rivers u ndal në kuotën e 23 pikëve. Tek Memphis, shënuesi më i mirë ishte kanadezi Brooks me 22 pikë, teksa Valanciunas dha kontributin e tij me 16 pikë dhe 10 rikuperime të topit. Fati i sfidës u vendos që në 2 periodat e para të lojës, me Houston që fitoi përkatësisht me rezultatet e pjesshme 35-17 dhe 38-30, duke siguruar në këtë mënyrë edhe triumfin e 38 për këtë sezon.
Një sfidë e rëndësishme në ‘Konferencën e Perëndimit’ ka qenë edhe derbi teksan mes San Antonio Spurs dhe Dallas Mavericks, e fituar nga këta të fundit me rezultatin 109-103. Letonezi Kristaps Porzingis bëri një nga paraqitjet më të mira të sezonit për Dallas, me 28 pikë dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë. Ra në sy edhe performanca e yllit kryesor të San Antonios, DeMar DeRozan, me 27 pikë, 9 asiste dhe 8 rikuperime të topit, por lojtari i ndeshjes shkoi gjithësesi për talentin slloven të Mavericks, Luka Doncic. 20-vjeçari kompletoi një tjetër ‘triple-double’ duke shënuar 26 pikë, 14 asiste dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë. Ky triumf i Dallas konsolidon për momentin pozitat e tyre në ‘luftën’ për zonën ‘play-off’, teksa për Spurs, gjërat komplikohen së tepërmi.
Në takimet e tjera, Boston triumfoi në transfertë, 114-103 ndaj Utah Jazz, kurse Los Angeles Clippers bënë detyrën duke mposhtur 102-92 skuadrën e Phoenix Suns.