Horner thotë se Alex Albon ndan të njëjtat virtyte me Max Verstappen

Sport

Viti 2020 për skuadrën ‘Red Bull’ pritet të jetë mjaft i rëndësishëm, pasi skuderia austriake kërkon që me përmirësimet e fundit në makinë, të bëhet pjesë e luftës për titull. Sigurisht, fokusi kryesor do të jetë tek Max Verstappen, i cili në sezonin e shkuar bëri disa paraqitje të mira, duke e mbyllur në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme për pilotë e duke lënë pas vetes dy rivalët e Ferrarit, Charles Leclerc dhe Sebastian Vettel. Megjithatë, shefi i ‘Red Bull’, Christian Horner duket se ka besim të madh edhe tek piloti tjetër i skuadrës, Alexander Albon. Sipas tij, Albon dhe Verstappen janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin e madje ndajnë të njëjtat virtyte. Horner tha se të dy pilotët dinë se si të veprojnë nën presion dhe madje dinë se si ta menaxhojnë si duhet, pavarësisht situatës në të cilën ndodhen.

Një tjetër pikë e përbashkët mes pilotëve të ‘Red Bull’, sipas tij është edhe vendosmëria për t’i çuar gjërat deri në fund. Për më tepër, fakti që dy pilotët shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe kuptohen si duhet në pistë, është një plus i madh për ‘Red Bull’, që në të kaluarën ka vuajtur në menaxhimin e konkurencës brenda skuadrës, si në kohën Vettel-Webber, edhe gjatë periudhës Verstappen-Ricciardo. Sa i përket Albon, Horner tha se e gjithë skuadra deri më tani është e kënaqur me punën e tij dhe se ishte një mëkat që në garën e Brazilit në sezonin e shkuar, ai nuk ia doli dot ta mbyllte në podium. Gjithsesi, Horner siguroi se skuadra do të bëjë maksimumin që Albon të arrijë sa më shpejt podiumin e parë në ‘Formula 1’, çfarë sigurisht do të shtonte akoma më shumë vetbesimin e pilotit përgjatë vitit 2020.