Hojlund në historinë e Premier League

Sport

Rasmus Hojlund në historinë e Premier League. Pavarësisht një nisjeje të vështirë në Old Trafford, qendër sulmuesi ia ka dalë të kthehet në një element të rëndësishëm të skuadrës së Manchester United.

Në ndeshjen e javës së 25 të kampionatit anglez, United ia doli të fitojë 1-2 dhe që të dy golat u shënuan pikërisht nga Hojlund. Në këtë mënyrë, ish-lojtari i Atalantes është bërë futbollisti më i ri në moshë që ka shënuar në 6 ndeshje radhazi në Premier League, vetëm 21 vjeç e 14 ditë.

Falë performancave pozitive, Hojlund tashmë është ngjitur në kuotën e 7 golave në kampionat, kurse për Manchester United, kjo ishte fitorja e 5 radhazi në të gjitha garat.

Si pasojë, djajtë e kuq, kanë shkuar në kuotën e 44 pikëve në ligë dhe tashmë zona Champions është vetëm 5 pikë larg.

Sakaq, vlen të theksohet se në javën e 25 të kampionatit anglez, nuk kanë gabuar kryesuesit e Liverpool dhe ndjekësit e Arsenal, që kanë fituar konkretisht ndaj Brentford dhe Burnley, 4-1 dhe 5-0. Mirëpo duhet theksuar se është ndalur Manchester City I vendit të tretë, që në shtëpi ka barazuar 1-1 me skuadrën e Chelsea.