Hoffenheim 1-2 Liverpool, të kuqtë i ndihmon fati dhe 18-vjecari Arnold

Sport

liverpolo

Ndeshja e parë në Evropë e Hoffenheimit duhet thënë se ishte e pafat, kjo edhe pse rezultati përfundimtar 1-2 lë të hapur të gjitha mundësitë. Përballjen e parë të “Play-Off”-eve të Champions League-ës kundër Liverpoolit, gjermanët e nisën me një penallti të humbur. Andrej Kramaric nuk shënoi nga pika e bardhë në minutën e 12-të duke ndikuar shumë psikologjikisht te skaudra e tij. Në një lojë ku përgjithësisht Hoffenheim po shfaqej e barabartë me 5 herë kampionët e Champions League-ës, ishte 18-vjecari Trent Alexander-Arnold ai i cili e nxorri Liverpoolin nga situata me një super-gol nga një goditje dënimi në minutën e 35-të. Për djaloshin e lindur në Liverpool, kjo ishte ndeshja e tij e dytë si titullar me të kuqtë. Në pjesën e dytë Liverpooli përfitoi edhe njëherë nga fati. Ishte minuta e 75-të, kur James Milner u mundua të krosojë në zonë, por krosi i tij u devijua nga Nordveit aq sa të kthente në gol. Pas penalltisë së humbur, kjo ishte shuplaka e radhës për skuadrën gjermane. Gjithsesi Hoffenheim gjeti forcat dhe 3 minuta nga fundi shënoi një gol shprese me 25-vjecarin Mark Uth. Rezultati final 1-2 dhe trajneri Nagelsmann ka sërish shance të masë forcat me patriotin e tij Klopp më 23 gusht në Anfield, atje ku prej Liverpoolit pritet shumë më shumë se sfida e parë.