Prej javësh u përfol se PSG ishte në kërkim të një qendërmbrojtësi me eksperiencë për sezonin e ardhshëm, por deri në orët e fundit të merkatos, asnjë afrim i tillë nuk u zyrtarizua. Kampionët në fuqi të Ligue 1 u përpoqën të nënshkruajnë me mbrojtësin e Gjermanisë, Jerome Boateng, por një marrëveshjee tillë nuk u finalizua dot para afatit përmbyllës të merkatos. Ndërsa objektiv i francezëve thuhet të ketë qenë edhe Renato Sanches. Negociatat me PSG, të udhëhequra nga Antero Henrique, ka lënë shije të hidhur tek Hoeness, i cili ishte i ashpër ndaj drejtorit sportiv të klubit francez.
“Unë do ta këshilloja PSG që ta zëvendësojë drejtorin e vet sportiv. Ky njeri nuk është një figurë e madhe për klubin, – tha Hoeness për “Kicker”. – PSG nuk mund të lejojë që të ketë një drejtues të tillë sportiv, nëse do të jetë një nga klubet më të mira në botë”. Drejtori sportiv i Bayern, Hasan Salihamidzic, ishte gjithashtu më pak i impresionuar me veprimet e Henrique dhe PSG gjatë diskutimeve për Boateng: “Unë nuk dua të fyej askënd, por do t’ju them: Ju nuk mund të bëni gjëra të tilla me Bayern Munich, sidomos kur bëhet fjalë për atë lloj lojtarësh. Nëse ata duan që një transferim i tillë të ndodhë, duhet të jenë konkret në atë çfarë kërkojnë apo prentendojnë. Edhe Jerome më konfirmoi se taktikat e anës tjetër ishin të çuditshme”.