Historia vazhdon, Mohamed Salah rinovon kontratën me Liverpool

Sport

Historia vazhdon. Mohamed Salah rinovon kontratën me Liverpool edhe për dy vite të tjera. Lajmi është bërë public nga vetë klubi i kuq në kanalin zyrtar.

“Jam shumë i emocionuar. Rinovova, sepse mendoj se kemi mundësinë të fitojmë trofe të tjerë të mëdhenj dhe unë dua të shijoj ende futbollin tim. Luaj prej 8 vitesh këtu dhe tani shpresoj të bëhen 10. Në këtë klub, kam kaluar vitet më të mira të karrierës time”, janë fjalët e Salah pas rinovimit.

Anësori i sulmit, në disa raste të ndryshme të këtij sezoni, kishte bërë të ditur publikisht se dëshira e tij ishte të qëndronte në Anfield, por ende nuk kishte marrë asnjë reagim nga klubi, kështu që ishte duke u përgatitur të largohej. Megjithatë, asgjë nga këto nuk do të ndodhë dhe tifozët e Liverpool duhet të qëndrojnë të qetë, sepse ata do të vazhdojnë të shijojnë ende performancën e mëngjarashit me fanellën e kuqe.

Ndonëse ishte në muajt e fundit të kontratës dhe ende nuk dihej se ç’do të ndodhte me të ardhmen e tij, kjo gjë nuk e ka penguar aspak egjiptianin të prodhojë një nga sezonet me të mira të karrierës së tij. Deri në këtë fazë, 32 vjeçari ka shënuar 32 gola, e ka shërbyer 22 asiste për shokët e skuadrës në 45 ndeshje të luajtura në të gjitha garat. 27 gola e 17 asiste janë regjistruar vetëm në Premier League, që ndryshe përkthehet në një nga sezonet më të mëdha që një futbollist ka bërë ndonjëherë në Premier League.

Në total me fanellën e kuqe, Mohamed Salah ka shënuar 243 gola e 109 asiste në 393 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, kurse trofe të fituar janë 8, mes tyre një Champions League dhe një Premier League. Po ashtu, vlen të theksohet se skuadra e drejtuar nga trajneri Arne Slot është shumë pranë fitimit të një tjetër titulli kampion në Angli. Përveç Salah, shumë pranë rinovimit të kontratës me Liverpool është edhe mbrojtësi Virgil Van Dijk, i cili gjithashtu është në muajt e fundit të kontratës aktuale. Lajmin për nisjen e bisedimeve të rinovimit, e ka bërë të ditur vetë mbrojtësi hollandez.