Futbolli rumun i dha të mërkurën mundësinë e realizimit të një ëndrre një 18-vjecari si Cosmin Lambru. Sulmuesi i Petrolul Ploiestit ka një histori sa prekëse aq dhe frymëzuese. Kur ishte 8-vjeç, ai i mbijetoi mrekullisht një aksidenti automobilistik. I përplasur nga një kamion teksa po kthehej nga shkolla, ai humbi dorën e majtë. Gjithsesi edhe pse fati nuk ishte shumë bujar me të, vullneti, dëshira dhe dashuria për sportin nuk e larguan kurrë nga futbolli. 10 vite më vonë, Cosmin kreu debutimin e tij si profesionist në përballjen e së mërkurës me Miovenin në Kupën e Rumanisë. Edhe pse skuadra e tij u eliminua, historia në fjalë ka tërhequr vëmendjen e të gjthëve. Lambru nuk e pranoi kurrë konsiderimin si invalid. Në fakt ai luan me një protezë në dorën e majtë, në mënyrë që të mos jetë e sikletshme për lojtarët e tjerë. Por ai nuk ndihet aspak i kufizuar. “Nuk ka qenë e lehtë, por në asnjë moment nuk e kam ndjerë veten inferior dhe kurrësesi nuk do ta ndjej në të ardhmen” – ka thënë Cosmin për gazetat vendase. Historia në fjalë është një frymëzim për të gjithë njerëzit me aftësi ndryshe, por më së shumti për sportin që gjithmonë e më tepër tregon se ka qëllime më të mëdha se thjesht rezultatet e ndeshjeve apo trofetë.