Higuain tërhiqet nga futbolli, sulmuesi ka mbyllur një karrierë të suksesshme

Sport

Gonzalo Higuain i thotë lamtumirë futbollit. Sulmuesi i qendrës i ka a varur këpucët në gozhdë në moshën 34 vjeçare. Në dy vitet e fundit, argjentinasi luante në SHBA me skuadrën e Inter Miami dhe ndeshja e tij e fundit ka qenë pikërisht ajo ndaj Neë York City.

Në mbyllje të takimit, Higuain nuk i ka fshehur dot emocionet, por ka shpërthyer në lot, sepse karriera e tij 16 vjeçare tashmë erdhi drejt fundit.

Një product i River Plate, El-Pipita u transferua në Europë kur ishte vetëm 19 vjeç. Në janarin e 2007-tës ai u bë pjesë e Real Madrid, aty ku luajti për 6 sezone.

Gjatë epokës me Los Blancos, ai u aktivizua gjithësej 264 ndeshje, duke shënuar 121 gola. Mes trofeve të tjerë, vlen të theksohen 3 titujt kampionë në La Liga.

Më pas, Higuain, iu bashkua Napolit. Në 3 sezone të luajtura me të kaltërit, argjentinasi realizoi 91 gola në 146 ndeshje. Aventura e tij do të vazhdonte po në Itali, por me një tjetër fanellë, me Juventusin, kun ë 149 ndeshje, arriti të shënonte 66 gola, duke fituar edhe 3 tituj të Serie A.

Po ashtu, Higuain ka mbajtur veshur edhe fanellën e Milanit, apo të Chelsea, duke luajtur si i huazuar në skuadrat në fjalë.

Përgjatë karrierës së tij, El-Pipita, ishte i suksesshëm edhe me kombëtaren e Argjentinës. Me fanellën e përfaqësueses së tij, sulmuesi u aktivizua në 75 paraqitje, duke shënuar 31 gola.

Pra, me fjalë të tjera, futbollit i ka thënë lamtumirë një prej lojtarëve më të mirë të dekadës së fundit. Në 16 vitet e karrierës së tij, Higuain luajti gjithësej 710 ndeshje si profesionist, duke shënuar 335 gola. Ky rrugëtim, që padyshim mund të konsiderohet i suksesshëm, është kurorëzuar edhe me 14 tituj të fituar.