Do jetë një derbi madrilen një nga gjysmë-finalet e Champions League-ës. Shorti i Nionit në Zvicër ka përcaktuar të premten fatin e dy skuadrave spanjolle, të cilat ndryshe nga përballjet e së kaluarës, do ta diskutojnë mes tyre biletën për në finalen e Kardifit. Ndërkohë Juventus do luajë me Monacon, skuadrën surprizë të këtij edicioni. Ajo cka druhej në Spanjë, por jo te Atletico, ndodhi. Më 2 maj, Zidane dhe Simeone do të luajnë në Bernabeu takimin e parë mes tyre. Një derbi tashmë ky i kthyer evropian, pasi kjo është hera e tretë në pak vite që diskutojnë Champions League-ën mes tyre. Te Los Rojiblancos drejtuesit kishin deklaruar më parë se nuk do të dëshironin kurrësesi një finale tjetër me Los Blancos dhe kështu ndodhi. Përballja në gjysmë-finale me Realin i qetëson disi, por nuk i jep aspak garanci Simeones se Kardifi është i arritshëm. Nga ana tjetër Juventus duket më fatlumja, të paktën për sa i përket shtypit italian, që e ka nënvizuar fatkin se takimi i parë gjysmë-finalist luhet në Monaco, krejt ndryshe nga sfidat me City-in dhe Dortmundin, që i avantazhoi francezët. Në statistikat e përballjeve me bardhekuqtë, Zonja e Vjetër i ka fituar sfidat në shtëpi kundër tyre, ndërsa në tërësi, në Evropë në 10 përballje me skuadra franceze, Juventusi e ka kaluar gjithmonë këtë fazë kundër tyre. Sidoqoftë kjo mbetet për t’u parë më 3 dhe 9 maj, ku skuadra e Jardim do të ri-vihet në diskutim packa se deri më tani ka eliminuar Villarreal, Fenerbahce, Manchester City dhe Borussia Dortmund.