Hiddink, i kënaqur me ardhjen e Pato

Sport

.Guus-Hiddink.jpg

 

Guus Hiddink duket se do të ketë më në fund një lojtar që do t’i japë më shumë alternativa sulmit të Chelsea-it. Alexandre Pato duket të jetë transferimi i parë i epokës së dytë kalimtare të holandezit me Blutë e Londrës. Klubi i Roman Abramovich ende nuk e ka zyrtarizuar marrëveshjen e huazimit të tij nga Corinthians, por vetë braziliani ka qartësuar gjithcka. Pato zbarkoi të mërkurën në Londër, ku nuk i kurseu aspak fjalët e para për mediat. Tërësisht i gëzuar nga rikthimi në Evropë, 26-vjecari tha se Chelsea ishte shtëpia e tij e re. Ish-sulmuesi i Milanit tha se ishte një ëndërr të ishte në Londër. Ai falenderoi të gjithë tifozët e Chelsea-it që ishin prezent për të, teksa tha se priste me padurim që të luante dhe të njihej me shokët e ri të skuadrës, 4 prej të cilëve janë bashkë-atdhetar të tij. Pato ishte i huazuar edhe vitin që shkoi. Në radhët e Sao Paulos ai luajti 47 ndeshje, në të cilat shënoi 15 gola dhe shërbeu 9 asiste. Corinthians nuk e konsideron pjesë të planeve të saj. Te Chelsea ai mund të luajë shumë mirë si në qendër të sulmit ashtu edhe në krah duke i dhënë alternativa trajnerit Guus Hiddink, që në repartin e avancuar ka pasur në dispozicion vetëm Diego Costan dhe Loic Remy-n.