20 vjet më pas, Jup Heynckes dhe Zinedine Zidane e rishohin veten përballë njëri-tjetrit. Sërish, nën sytë e të gjithë botës. Atëherë, më 20 maj 1998, në “Amsterdam Arena”, luhej për Kupën e Kampionëve. Ndërsa nga sonte në Mynih, nis shtrimi i rrugës për në finale. Atëherë Heynckes drejtonte Realin dhe njësoj si tani, e dinte se në fund të sezonit do të ikte. Në 1998-n, Zidane ishte 25 vjeç dhe një nga yjet e Juventusit. Por mbi të gjitha kërkonte lavdinë personale në Evropë. Që në fakt, deri në atë moment i kishte shpëtuar dy herë: me Bordonë pati humbur finalen e Kupës UEFA në ’96-n kundër Bajernit. Pastaj, me bardhezinjtë i iku nga duart edhe Kupa e Kampioneve e ‘97-s ndaj Borusias së Dortmundit, e luajtur në Olimpiastadion të Mynihut. Si përfundim nuk shmangu dot tripletën e dhimbshme, duke humbur 1-0 edhe në Amsterdam, prej golit të Mijatovic. Ai, i cili nga ana tjetër i dha mundësinë teknikut gjerman, që në sezonin e tij të vetëm në Bernabeu, të realizonte “La Septima”-n e Realit. Ishte e para për spanjollët, pas asaj të fituar përpara 3 dekadash, në 1966-n. Për Zizou u desh të kalonin 4 vite që të thyente mallkimin, duke firmosur vetë Championsin e 9-të të “Los Blancos” në Gllasgou, me golin e mrekullueshëm ndaj Bajer Leverkusen.
Mirëpo fatet e Heynckes dhe Zidane u kryqëzuan sërish në 2013-n, kur Zidane, në atë moment këshilltar i Perezit në Madrid, nxiti afrimin e Carlo Ancelotit në Bernabeu dhe jo të gjermanit, i cili pëlqehej nga presidenti. Nuk vlejti as fakti që Jup në atë vit ishte larguar nga Bajerni me “Tripletën” e vetme të historisë së bavarezëve. Tri vite më pas, Zizu u ngjit vetë në postin, që mund të kishte qenë i Juup. Nga atëherë, francezi nuk ka dalë kurrë nga Champions: 2 triumfe radhazi e 10 faza me eleminim direkt, të kapërcyera. Sa i takon Heynckes, kurioz është fakti se duke prezantuar finalen e 1998-s, tekniku – atëherë 52-vjeçar, thoshte se nuk kishte ndërmend të ulej në pankinë përtej të 60-ave. Por ja që më 9 maj do të mbushë 73. Dhe sërish si trajner. Me shpresën që të jetë përsëri në finalen e Champions. Atë që e ka fituar 2 herë, nga 3 të luajtura. Për më tepër, kompeticionin më prestigjoz evropian nuk e mbyll në mënyrë të parakohshme që nga viti 1991. E sigurtë është që në fund të këtij sezoni, Heynckes do të mendojë për pleqërinë. Kurse Zizou do të vazhdojë të punojë. Edhe nëse Juup do t’i jepte një tjetër keqardhje. Si ajo e 20 viteve më parë.