“Nuk mund ta imagjinoj dot një rast Aubameyang apo Dembele te Bayerni” kështu e thotë hapur mendimin e tij trajneri Jupp Heynckes përballë çështjes Robret Lewandowski. Sulmuesi polak, autor i 29 golave këtë sezon, nuk ka përgënjeshtruar asnjëherë mundësinë e largimit nga Munihu.Me bavarezët ai është i lidhur deri në vitin 2021, sipas një kontrate të cilën e ka rishikuar në 2016-ën. Por së fundmi spekulime rreth një kalimi te Reali i Madridit janë intensifikuar.
Gjithcka ka në qendër lëvizjen e fundit të polakut, i cili ndryshoi agjent, duke angazhuar izraelitin, Pini Zahavi, ky i fundit një nga personat kyç në operacionin 222 milionë eurosh që dërgoi Neymarin në Paris. Shtypi gjerman parashikon një ndërhyrje nga klubi bavarez të ngjashëm me atë të Dortmundit, për të ndaluar lojtarë si Dembele apo Aubameyang që të largohen. Por edhe pse gjendja është disi me trysni, sidomos nga shtypi, Heynckes nuk e sheh të tillë.
“Roberti mbush 30 në verë, ka një kontratë deri në vitin 2021, ndërsa Bayerni është një klub jashtëzakonisht i organizuar dhe me një atmosferë fantastike” ka thënë 72-vjecari, i cili ka theksuar mosbesimin e tij se ndokush do të donte të largohej nga një klub si i bavarezëve. Por çdo të ndodhte nëse vetë Lewandowski do të donte të largohej? Sipas Heynckesit në të atillë situatë Bayerni nuk do të sillej kurrësesi si Dortmundi.