Lucas Moura do të vijojë të jetë pjesë e Tottenham. Heroi i sfidës gjysmëfinale në ‘Champions League’ ndaj Ajaksit, ka firmosur një kontratë të re, që do ta mbajë të lidhur me skuadrën londineze deri në vitin 2024. Braziliani u bashkua me Tottenham në janarin e vitit 2018, pasi PSG e cilësonte si jashtë planeve të saj. Por Lucas Moura do rezultonte të ishte një faktor kyç për rrugëtimin e Tottenham në sezonin e shkuar, me tripletën e tij kundër Ajaksit që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve. Që nga momenti kur zbarkoi në Londër, Lucas Moura ka zhvilluar 60 ndeshje dhe realizuar 16 gola dhe 6 asiste.
Sulmuesi cilësohet si një pikë e rëndësishme e projektit të trajnerit Pochettino edhe për sezonin e ardhshëm, kjo edhe për shkak të aftësisë së brazilianit për të luajtur në pozicione të ndryshme në fushë. Rinovimi i Lucas Moura vjen pas një merkato mjaft të mirë të klubit nga Londra veriore, ku u arrit nënshkrimi me emra si Giovani Lo Celso, Tanguy Ndombele apo Ryan Sessegnon. Arritja në finalen e ‘Champions Leauge’ në sezonin e shkuar për herë të parë në historinë e klubit duket se ka rritur dëshirën e drejtuesve për të shtyrë më tej. Trajneri Pochettino ka kërkuar të qëndrojë me këmbë në tokë duke mos vendosur objektiva, por Tottenham mendohet të jetë sërish një ndër skuadrat më konkuruese si në Angli, ashtu edhe në arenën europiane.