Mbrëmjen e së mërkurës në Stamboll tërhoqi të gjithë vëmendjen, ndoshta edhe më shumë sesa veprimet teknike të Salah, Mane’, Pulisic, apo Giroud. Stephanie Frappart hyri në histori si gjyqtarja e parë që gjykonte një finale meshkujsh të rangut kontinental. Kështu hapi një epokë të re, jo vetëm sa i takon gjyqtarëve, por edhe futbollit në përgjithësi.
Gjykimi i saj dhe i bashkëpunëtoreve Manuele Nicolosi dhe Michelle O’Nill, mund të konsiderohet pothuajse perfekt, ndërkohë që Frapar bëri të ndihej prezanca e saj me vershëllimën e një faulli që në minutën e 2-të. Në planin fizik, francezja nuk u lëshoi futbollistëve asnjë milimetër terren përgjatë 120 minutave të ndeshjes. E nuk humbi qetësinë, as kur u rrit niveli agonistik dhe nervoz. Aq sa kur kapiteni i Chelseat, Azpilicueta, i bërtiti në sy, menjëherë mori një karton të verdhë. Në fund të fundit, qendrimi arbitral ishte i qartë menjëherë: pak dialog, autoritet, vendosmëri dhe asnjë hapësirë për protesta. Praktikisht, një gjykim thuajse i stilit anglez, si dy ekipet në fushë… Por nuk i mungoi as kurajo, kur në minutën e 9-të të pjesës së parë shtesë, akordoi penallti në favor të Chelsea, për një kontakt mes portierit të Liverpulit, Adrian dhe sulmuesit të bluve, Abraham. Fundja, paraqitja e mirë në gjykimin e treshes së femrave u miratua edhe nga publiku, që rezervoi duartrokitje për to. Finalja e Superkupës evropiane pati një tjetër fituese, përç Liverpulit që ngriti trofeun.