Sezoni i shkuar ishte një ndër më të mirët e historisë së Liverpoolit, me ‘the reds’ që arritën të triumfonin në ‘Champions League’ dhe të shpalleshin kampionë të Europës për herë të gjashtë. Por titulli kampion në Angli duket se është një peng i madh për tifozët e Liverpool dhe të besuarit e Jurgen Klopp e dinë se mund të shkruajnë emrin e tyre me gërma të arta nëse arrijnë edhe një objektiv të tillë. Kapiteni Jordan Henderson ka folur pikërisht për çështjen e titullit në ‘Premier’ dhe 29-vjeçari e di se skuadrën e tij e pret një rrugëtim mjaft i vështirë. Sezonin e shkuar ‘the reds’ e mbyllën në kuotën e 97 pikëve, por pavarësisht kësaj nuk ja dolën të triumfonin mbi Manchester City, që mori 1 pikë më shumë.
Henderson gjithësesi nuk sheh vetëm skuadrën e Pep Guardiolas si rivale për këtë sezon, duke u shprehur thuajse i sigurtë se në luftën për titull do të jenë më shumë se dy skuadra. Mesfushori i Liverpoolit përmendi Tottenham, që gjithashtu bëri mjaft mirë përgjatë 2018/19-ës, madje duke arritur deri në finalen e madhe të ‘Champions League’ pikërisht kundër Liverpool. Por Henderson shtoi se edhe skuadrat e tjera janë përforcuar ndjeshëm gjatë merkatos dhe me gjasa këtë sezon lufta për t’u shpallur kampionë të Anglisë do të jetë më e fortë. Pavarësisht konkurencës së fortë në ‘Premier League’, Henderson beson se Liverpooli do t’ia dalë të marrë më të mirën sezonit të ri, teksa përsëriti se ‘the reds’ nuk fokusohen vetëm tek një objektiv, çfarë do të thotë se dëshira për të përsëritur suksesin në ‘Champions League’ mbetet sërish e njëjta.