Edhe një herë tjetër, shkodrani Rubin Hebaj është dalluar si protagonist me skuadrën e Domazhales në Slloveni. Sulmuesi 20-vjeçar me golin e fitores, ka ndihmuar ekipin e tij të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës në sezonin e ardhshëm. Hebaj ishte autor i realizimit vendimtar, që fiksoi shifrat 2-1 në favor të Domzhales, në transfertën e luajtur përballë Aluminij. Megjithëse u aktivizua si zëvendësues në minutën e 62-të të ndeshjes, atij i mjaftuan 15 minuta në fushë për të gjetur rrugën e rrjetën. Teksa është gjendur në vendin dhe momentin e duhur, në përfundim të një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës së tij. Ai thjesht e shtyu topin në rrjetë, por faktikisht bëhej fjalë për një gol me shumë vlerë në planin personal. Pikërisht, për Hebajn ishte goli i katërt në kampionat, po aq sa kishte shënuar një vit më parë me fanelën e Vllaznisë. I vetmi ndryshim është se ka pasur më pak minuta aktivizim në fushën e lojës, pasi në kampionatin slloven ai nuk është një titullar fiks. Në këtë sezon, Hebaj ka luajtur vetëm 12 ndeshje, gjatë të cilave gjithsesi ka arritur të prekë shifrën e 4 golave të shënuar. Një kuotë, të cilën gjatë vitit të kaluar te Vllaznia e fiksoi pas 23 ndeshjeve ku zbriti në fushë.