Eden Hazard pritet të jetë njeriu kyç i sezonit të ri të Real Madrid, i afruar gjatë merkatos verore nga Chelsea për shifrën e 100 milionë eurove. Belgu e kishte kerkuar prej kohësh një mundësi të tillë për të luajtur me fanellën ‘los blancos’ dhe pas debutimit të tij në miqësoren kundër Bayern Munich, Hazard ka zbuluar edhe pritshmëritë e klubit. Ai tha se kjo fanellë për të vlen jashtëzakonisht shumë dhe e konsideron si shpërblimin më të mirë për punën e tij deri më tani. Hazard tha se kërkon të fitojë sa më shumë ndeshje dhe të ngrejë trofe çdo sezon dhe tek Reali ekziston pikërisht kjo filozofi. 28-vjeçari u shpreh gjithashtu se lidhja me tifozët varet pikërisht nga arritja e këtyre objektivave, prandaj është e rëndësishme që ai dhe e gjithë skuadra të jetë e përqëndruar gjatë gjithë sezonit. Në këtë mënyrë, duke kuptuar rëndësinë që kanë trofetë për Real Madridin, e sidomos ‘Champions League’-a, Hazard thotë se do të përpiqet të jetë një lider për skuadrën, por do të plotësojë me kujdes edhe detyrat që do t’i jepen nga trajneri Zidane.
Investimet e shumta gjatë kësaj merkatoje verore nga ana e presidentit Perez nuk e fshehin dëshirën e 13 herë kampionëve të Europës për t’u rikthyer sërish në maja, pas sezonit të kaluar krejtësisht të dështuar e që kaloi mes shumë problemeve. Menjëherë pas rikthimit në stolin e Real Madrid, Zinedine Zidane i pati kërkuar Perez pikërisht transferimin e Hazard, të cilin tekniku francez e sheh si lojtar kyç për rikthimin e ‘los blancos’.