Chelsea barazoi 0-0 në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në ‘Premier League’ kundër skuadrës së Leicester, në atë që shihet si ndeshja e fundit në Angli e Eden Hazard me ‘blutë’ e Londrës. Futbollisti belg u hodh në fushë në minutën e 69 të ndeshjes. Lënia në stol e tij nga trajneri Sarri pikërisht në ndeshjen e fundit të kampionatit, u pa si një shenjë tjetër që sheh të ardhmen e Hazard larg ‘Stamford Bridge’. Vetë 28-vjeçari ka deklaruar në fund të takimit se tashmë e ka marrë një vendim për sezonin e ardhshëm, vendim të cilin ai ia ka komunikuar edhe drejtuesve të Chelseat. Megjithatë, Hazard lë tifozët në pritje duke shtuar se tashmë është i përqëndruar vetëm tek finalja e ‘Europa League’ ndaj Arsenal, dhe vetë pas atij takimi, Hazard do të konfirmoi të ardhmen e tij.
‘Blutë’ e Londrës e mbyllën sezonin në vendin e tretë me 72 pikë, çfarë i garantoi të besuarve të Maurizio Sarrit prezencën në ‘Champions League’ vitin tjetër. Por Hazard u shpreh se ky nuk ka qenë një kusht i domosdoshëm për të vendosur të ardhmen e tij. Belgu ka qenë edhe kët sezon elementi më i rëndësishëm i Chelseat duke luajtur plot 51 ndeshje, pa llogaritur këtu finalen e ‘Europa League’ kundër Arsenal. Gjatë këtij viti ai ka arritur të shënojë 19 gola dhe të shërbejë 16 asiste, duke u bërë lojtari i parë në Europë që shënon dhe asiston me shumë se 15 herë. Hazard pritet të transferohet tek skuadra e Real Madrid, një dëshirë e vjetër e tij. Por Chelsea nuk heq dorë kollaj nga shërbimet e belgut, duke pretenduar më shumë se 130 milionë euro për kartonin e tij.