Eden Hazard mbetet një ndër emrat më të lakuar në merkaton e skuadrave të mëdha evropiane. Belgu edhe njëherë tjetër është shprehur i pasigurtë rreth të ardhmes së tij, çfarë mund të zgjojë akoma më shumë interesin e skuadrave të tjera. Real Madrid është përfolur prej kohësh si klubi më i interesuar për shërbimet e 27-vjeçarit, që e sheh futbollistin belg si një zëvendësues potencial të Cristiano Ronaldos. Edhe vetë lojtari e dëshiron një gjë të tillë, pasi ka përsëritur sërish se ëndrra e tij mbetet që një ditë të luajë me fanellën e madrilenëve. Duket se gjithçka duket e kryer, por Chelsea nuk ka ndërmend të heqë dorë kollaj nga shërbimet e Hazard. Numri 10 i ‘bluve’ të Londrës mbetet lojtari më i rëndësishëm i skuadrës edhe nën drejtimin e Maurizio Sarrit, që nuk i ka kursyer kurrë elozhet për Hazard.
Lojtari nga ana tjetër ka thënë se qëndrimi në Londër deri më tani ka qenë një zgjedhje e tij, pasi ndihet shumë mirë në skuadrën aktuale. Megjithatë, përmbushja e ëndrrës së tij për të luajtur me ‘los blancos’ duket se do të jetë thjesht çështje kohe, pasi me krizën që po kalojnë aktualisht madrilenët, Florentino Perez mund të jetë bindur për të investuar për çfarëdo shifër tek Eden Hazard. Futbollisti belg u bë pjesë e Chelseat në merkaton verore të vitit 2012, ku u transferua nga Lille për shumën e 35 milionë eurove. Vlera e kartonit të tij vlerësohet mbi 110 milionë euro, por me formën e shkëlqyer që po kalon aktualisht Hazard, kjo shifër mund të rritet ende. Në sezonin aktual ai ka zhvilluar 10 ndeshje me fanellën e Chelseat, ku ka shënuar 8 gola dhe ka shërbyer 3 asiste.