Kthehen lajmet për Besnik Hasin dhe uljen e tij sërish në drejtimin e një skuadre belge. Këtë radhë bëhet fjalë për Cercle Brugge, ekipi që pas disa sezoneve të luajtur në kategorinë e dytë, këtë vit ka siguruar ngjitjen në Jupiler Ligën belge. Kështu ka nisur të thuhet se në rolin e teknikut për kampionatin e ardhshëm do të emërohet Hasi.
Ndërkaq, një prapaskenë interesante është zbuluar nga mediat belge sa i takon njeriut, i cili e do Hasin me çdo kusht në stolin e skuadrës së dytë të Bryzhit. Ai është pronari aktual i francezëve të Monako, Dmitri Ribolovlev. Miliarderi rus është aksioner dhe pjesë e bordit drejtues të klubit belg.
Kështu që ka të drejtën e vendimmarrjes për trajnerin. Mësohet se prej kohësh, Ribolovlev ka nisur kontaktet me trajnerin gjakovar dhe pritet që brenda një kohe të shkurtër, gjithçka të marrë trajtën zyrtare. Hasi është prej kohësh i papunë, përderisa në dy përvojat e fundit, ai është larguar shumë shpejt, si kur drejtonte polakët e Legias së Varshavës, ashtu edhe grekët e Olympiakos. Mirëpo prej kohësh kërkon të rikthehet për të trajneruar një skuadër në Belgjikë. Aty ku jo vetëm jeton familja e tij, por edhe bëri histori me Anderlecht, duke fituar titullin kampion, në vitin e tij të parë si trajner.