Harry Kane mund të largohet nga Tottenham…

Sport

Kapiteni i Anglisë dhe i Tottenham, Harry Kane është nga ata emra që gjithmonë ngjall interes në merkaton e skuadrave të mëdha. Sulmuesi anglez cilësohet ndër më të mirët në qarkullim sa i përket rolit të tij, por qëndrimit të tij tek ‘Spurs’-at mund t’i vijë fundi më shpejt nga sa ishte menduar.
Sipas ish-sulmuesit të Manchester United, Dimitar Berbatov, Kane është duke e menduar seriozisht largimin nga londinezët. Sulmuesi 26-vjeçar kërkon të fitojë trofe dhe iu afrua atij më prestigjozit në kontinent në finalen e ‘Champions League’ në sezonin e shkuar, në të cilën Liverpooli triumfoi 2-0. Në këtë mënyrë Kane mund të mendojë kalimin tek ndonjë skuadër tjetër, ku mund të ketë mundësinë të luajë për fitimin e çdo trofeu të mundshëm.
Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino po bën maksimumin për ta bindur sulmuesit e tij të qëndrojë, teksa klubi londinez është ndër skuadrat që kanë shpenzuar më shumë gjatë kësaj merkatoje verore për t’u përforcuar dhe për të tentuar të përmirësojnë gjërat nga sezoni i shkuar.
Kështu, siç konfirmojnë edhe disa media angleze, Kane mund t’i japë një shans të fundit Tottenham në sezonin e ri, ku besimi është i madh pikërisht për shkak të blerjeve të reja të klubit. Në rast se ‘Spurs’-at do të dështojnë sërish, atëherë kapiteni i Anglisë do të mendojë transferimin diku ku mund të konkurojë me sulmuesit më të mirë të Europës.
Vlera e Harry Kane llogaritet në mbi 150 milionë euro, teksa sezonin e shkuar, në 40 ndeshje me Tottenham në të gjitha kompeticionet, realizoi 24 gola dhe 6 asiste.