Ashtu sikurse ka ndodhur në vitet e fundit, edhe këtë herë, Harry Kane është një nga lojtarët më të përfolur të merkatos. Me një vit kontratë të mbetur me Tottenham, largimi i tij këtë verë nga klubi londinez është konsideruar i sigurt, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe me aq siguri.
Sikurse raportojnë mediat britanike, sulmuesi është i hapur për gjithçka dhe mund të bëjë “prapakthehu”. Ashtu sikurse nuk përjashtohet të largohet nga Zambakët e Bardhë, njëkohësisht, Kane është duke menduar edhe qëndrimin.
Për këtë arsye, ai e ka lënë gjithçka në dorën e drejtuesit të Tottenham, të cilët do të kenë të drejtën për të vendosur të ardhmen e 29 vjeçarit. Kapiteni i Spurs, e njëkohësisht edhe i përfaqësueses angleze, do të ketë një takim të drejtpërdrejtë me trajnerin e ri të skuadrës, Ange Postesoglou, me këtë të fundit që është shprehur se Kane është padyshim në planet e projektit të tij në Londrën Veriore.
Në kushte si këto, është mëse e besueshme që Tottenham të përgatisë një rinovim të kontratës me golashënuesin më të mirë të historisë së klubit, për të mbetur ai udhëheqësi i skuadrës edhe për disa edicione të tjera, e pse jo, për të shkuar drejt sukseseve madhore.
Nga ana tjetër, Bayern Munich pret. Kampionët e Gjermanisë, nuk po heqin dorë nga futbollisti. Në ofertën e tyre më të freskët në drejtim të anglezëve, bavarezët trokitën me më tepër se sa 80 milionë euro. Mirëpo, aq nuk ishin mjaftueshëm. Drejtuesit e Tottenham e cilësojnë kartonin e Kane më tepër se 120 milionë euro, ndonëse lojtari është vetëm 12 muaj larg nga skadimi i kontratës.
Nuk dihet me saktësi se sa do të zgjasë kjo histori, por sigurisht që përgjatë ditëve vijuese të verës, mbi këtë temë, do të ketë më tepër dritë.