Harry Kane dëshiron të rikthehet në Premier League

Sport

Harry Kane dëshiron rikthimin në Premier League. Ky është lajme që vjen nga mediat e huaja, e më kryesisht ato spanjolle, që raportojnë, se sulmuesi anglez, synon të luajë sërish në vendin e tij të lindjes. Kane, po përjeton sezonin e tij të dytë me Bayern Munich, e në fakt, në aspektin personal, gjithçka ka shkuar në mënyrë të përkryer për lojtarin në fjalë, i cili në 82 paraqitje në të gjitha kompeticionet, ka shënuar 76 gola, e ka dhënë 23 asiste.

Megjithatë, mesa duket, anlgezit i rreh zemra të rikthehet edhe një herë tjetër në Premier League. Për diçka të tillë, siç raportohet, Kane ka një klauzolë në kontratën e tij me Bayernin, që i hap atij rrugën për t’u rikthyer sërish në ishull.

Për këtë arsye, kanë nisur menjëherë lëvizjet e para dhe siç raportohet, Liverpool duket klubi më i interesuar për të kompletuar shërbimet e 31 vjeçarit në merkaton e verës. Trajneri Arne Slot synon të bëjë investime të rëndësishme në skuadër, në mënyrë që të kërkojë një tjetër sezon të suksesshëm, pasi aktualisht, Liverpool duket shumë pranë titullit të Premier League.

Mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojë e ardhmja në fund të sezonit për Harry Kane, ndërsa ky i fundit, ka një kontratë të vlefshme me Bayern Munich edhe për dy vite të tjera. Ndërkaq, këtë edicion, Kane duket në rrugë të mbarë për të fituar titullin e parë të karrierës, pasi Bayerni kryeson me diferencë në Bundesligës, ndërsa është gjithashtu i kualifikuar edhe në çerekfinale të Champions League.