Hapet gara për titullin kampion në Premier League. Manchester City fiton 3-1 në Londër ndaj Arsenalit, në atë që ishte ndeshje e prapambetur e javës së 12-të të Premier Leage.
Në Emirates, ishin Cityzens ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 24 të pjesës së parë, me autor Kevin De Bruyne, i cili përfitoi në maksimum nga pasiguria e Takehiro Tomiyasu.
Vendasit u rikthyen në lojë dhe barazuan përkohësisht me anë të Bukayo Saka në minutën e 42 nga pika e bardhë e penalltisë.
Kampionët në fuqi të Anglisë, u rikthyen në epërsi në minutën e 72 me anë të Jack Grealish, ndërsa 10 minuta më vonë Erling Haaland ndëshkoi për herë të tretë skuadrën e Gunners.
Ky ishte finalizimi i 26-të sezonal për norvegjezin në Prmier League. Për herë të fundit kur një lojtar i Cityt kishte shënuar kaq shumë në kampionat, i përket sezonit 2014-15, atëherë kur Sergio Aguero realizonte pikërisht 26 gola. Mirëpo, deri në fund të kampionat, janë edhe 15 ndeshje të tjera për t’u luajtur, kështu që Haaland pritet të vendosë një rekord në vete në elitën e futbollit anglez.
Fitorja e Manchester Cityt në Emirates, mund të konsiderohet pragmatiste. Blutë e Manchesterit e mbyllën lojën me vetëm 36% qarkullim të topit, çka është qarkullimi më i ulët i topit në një ndeshje kampionati në karrierën e trajnerit Pep Guardiola.
Më tej, kjo ishte humbja e 11-të radhazi e Arsenalit në Premier League, duke regjistruar në këtë mënyrë, ecurinë më negative ndonjëherë ndaj një kundërshtari përgjatë historisë së klubit.
Në kushte si këto, Arsenali tashmë ka zbritur në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit në kuotën e 51 pikëve, po aq sa City që ka marrë kryesimin për shkak të golavarazhit më të mirë. Sidoqoftë, Arsenali ka mundësi që ngjitet sërish në krye, sepse ka luajtur 22 ndeshje, një më pak sesa City që ka luajtur 23.