Hamilton prek titullin kampion, Mercedes dominon edhe në Japoni

Sport

hamilton121212
Lewis Hamilton dhe Mercedes vazhdojnë rrugëtimin drejt titullut kampion. Piloti britanik dominoi edhe në ‘Çmimin e Madh’ të Japonisë, ku nuk e vuri fitoren në diskutim thuajse në asnjë moment të garës. Hamilton garoi i qetë dhe strategjia e ndjekur nga Mercedes ishte e mirëmenduar nga stafi i Toto Wolff. Piloti tjetër i markës gjermane, Valtteri Bottas, e mbylli në vendin e dytë, ku ia doli të ruante pozicionin e tij pavarësisht presionin të vazhdueshëm që i shkaktonte Max Verstappen nga pas. Piloti i Red Bull e mbylli i treti, pavarësisht se u pezullua me 5 sekonda nga komisarët e pistës për një kontakt me Kimi Raikkonen të Ferrarit. Tjetër dështim dhe gabim nga ana e Sebastian Vettel.

lewis hm

Makina e pilotit gjerman dukej në një formë të mirë dhe Vettel, pavarësisht se u nis i teti, iu afrua podiumit brenda xhirove të para. Por sërish gjermani tregohet i nxituar në veprimet e tij dhe tenton një parakalim thuajse të pamundur ndaj Verstappen. Ferrari me numrin 5 del jashtë piste dhe rikthehet në garë nga vendet e fundit. Vetëm vendi i 6 për Vettel, pas Ricciardos dhe Raikkonen.  Praktikisht çështja e titullit duket diçka thuajse e mbyllur tashmë. Hamilton numëron 331 pikë në renditjen e përgjithshme, plot 67 më shumë se rivali i tij i Ferrarit, Sebastian Vettel. Kur kanë mbetur edhe 4 gara nga fundi i sezonit aktual, edhe tek konstruktorët Mercedes udhëheq me 78 pikë më shumë se skuderia Ferrari.