Hamilton mbyll sezonin me fitore, Verstappen e Leclerc plotësojnë podiumin në Abu Dhabi

Sport

Lewis Hamilton e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon të ‘Formula 1’. Kampioni i botës fitoi edhe garën e fundit të kalendarit, atë në Abu Dhabi, ku pati një fundjavë perfekte. Pasi kishte siguruar ‘pole position’, Hamilton dominoi edhe gjatë garës, duke qëndruar në vendin e parë pa u shqetësuar nga askush. Për më tepër, triumfit të tij i shtoi edhe xhiron më të shpejtë në pistë. Podiumi u plotësua nga Max Verstappen me ‘Red Bull’ dhe Charles Leclerc me Ferrari, të cilët në fakt ishin të vetmit nga pilotët e kreut që dhuruan spektakël e parakalime. Vetëm vendi i katërt për pilotin tjetër të Mercedes, Valtteri Bottas, që u nis nga prapavija. Kurse Vettel e mbylli në vendin e pestë, pas problemeve që pati në momentin e ndërrimit të gomave. Gjermani la pas vetes Alex Albon, Sergio Perez dhe Lando Norris.

Kështu, Lewis Hamilton mbyll sezonin e ‘Formula 1’ për vitin 2019 si kampion bote, me 413 pikë, ku në 21 gara, arriti 11 fitore. Ndërsa në total, britaniku ishte në podium në 17 raste. Vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm e mori Bottas me 326 pikë, ndërkohë që Verstappen fitoi duelin me Leclerc për vendin e tretë. Sa i përket konstruktorëve, Mercedes dominoi gjatë këtij sezoni duke grumbulluar në total 739 pikë. Ferrari i vendit të dytë mori 504 pikë, vetëm 87 më shumë se ‘Red Bull’. Duke përjashtuar 3 skuderitë kryesore, McLaren fitoi përballjen në distancë me Renault dhe Toro Rosso, duke e mbyllur këtë sezon në vendin e katërt.