Marrëdhëniet midis Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg nuk do të jenë asnjëherë miqësore dhe kjo do vazhdojë për një kohë të gjatë. Që nga koha kur ishin shokë skuadre tek Mercedes, dy pilotët, kampionë bote, kishin përplasje me njëri-tjetrin edhe jashtë pistës. Por edhe pas tërheqjes së gjermanit, kjo ‘luftë’ mes tyre vijon të jetë e nxehtë. Rosberg u shpreh pak ditë më parë se Hamilton nuk është më aq i shpejtë sa më parë dhe për këtë, ish-piloti gjerman u kap tek mosha e britanikut. Hamilton, tashmë 34-vjeçar, sipas tij nuk mund të garojë njësoj si më parë, dhe kjo gjë mund të vihet re jo vetëm tek shpejtësia e tij, por edhe tek mënyra se si ai i përballon duelet me rivalët në pistë. Por nuk ka vonuar përgjigja e kampionit në fuqi të ‘Formula 1’, që ka replikuar në mënyrë të ashpër ndaj ish-shokut të skuadrës. Pasi gazetarët i treguan për deklaratat e Rosberg, Hamilton tha se nuk i kishte dëgjuar më parë këto fjali të gjermanit.
Megjithatë, britaniku u përgjigj duke thënë se kur Rosberg thotë diçka të tillë për të, në fakt kanë të bëjnë më mënyrën se si Rosberg ndihet në të vërtetë me veten. Hamilton kapet tek fakti që gjermani u tërhoq sapo fitoi titullin, pasi sipas tij, Rosberg kishte frikë se mund të turpërohej në sezonin e ardhshëm, çfarë do të vinte në diskutim se sa i merituar ishte titulli i tij i parë dhe i vetëm në karrierë. Nga ana tjetër, Hamilton se edhe pse tashmë është 34-vjeçar, vazhdon të dashurojë garimin në ‘Formula 1’ dhe betejat e ashpra në pistë. Fakti që mbetet kampioni i botës e tregon qartësisht se motivimi dhe stili i garimit të tij, sa bashku me një makinë të shkëlqyer si Mercedes, e kanë bërë të jetë në nivelet më të larta të mundshme.